BOTA, 26 Prill 2025, 20:39

Rusia pretendon se ka rimarrë kontrollin e plotë të Kurskut nga Ukraina, Kievi e mohon

Rusia pretendon se ka rimarrë kontrollin e plotë të Kurskut nga

Ukraina ka mohuar pretendimet ruse se është dëbuar nga rajoni i Kurskut në Rusi.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, tha se forcat e tij kanë rifituar kontrollin e plotë të rajonit, tetë muaj pasi trupat ukrainase ndërmorën një inkursion të papritur në këtë zonë kufitare. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi përpjekjen e Ukrainës si një "dështim të plotë".

Ukraina deklaroi se trupat e saj ende po kryejnë operacione në Kursk, duke e cilësuar pretendimin rus si "truke propagandistike".

Në muajt e fundit, forcat ukrainase janë tërhequr në Kursk përballë 70,000 trupave ruse dhe sulmeve të shumta me dronë, si pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të rimarrë territorin.

Gjatë një takimi përmes videokonference me Putinin të shtunën, Gerasimov tha: "Sot, vendbanimi i fundit në rajonin e Kurskut, fshati Gornal, është çliruar nga forcat ukrainase."

Ai gjithashtu vlerësoi "heroizmin" e trupave koreano-veriore, të cilët, sipas tij, "kanë dhënë ndihmë të rëndësishme në mposhtjen e forcave të armatosura ukrainase".

"Avventura e regjimit të Kievit ka dështuar plotësisht," i tha Putin Gerasimovit, duke shtuar se ky zhvillim do të hapë rrugën për përparime të mëtejshme ruse në fronte të tjera.

Në një reagim në Telegram, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase e pranoi se situata në fushën e betejës është "e vështirë", por theksoi se forcat e saj vazhdojnë të mbajnë pozicione në Kursk dhe po kryejnë gjithashtu një inkursion në rajonin rus të Belgorodit.

Ukraina e nisi inkursionin e saj në Kursk gushtin e kaluar, në përpjekje për të krijuar një zonë mbrojtëse në kufi, që do të pengonte dislokimin e forcave ruse në vijën lindore të frontit ukrainas.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina janë "shumë pranë një marrëveshjeje" për t’i dhënë fund luftës, pas bisedimeve që i dërguari i tij, Steve Witkoff, zhvilloi me Putinin këtë javë.

Trump gjithashtu u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para funeralit të Papa Françeskut në Vatikan të shtunën. Zelensky i tha BBC-së të premten se po kërkon një "armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar" përpara çdo marrëveshjeje.

Kievi po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga Trump për të pranuar disa koncesione territoriale në kuadër të një marrëveshjeje me Moskën, që sipas raporteve mund të përfshijë edhe dorëzimin e Gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.

Ukraina shpresonte ta përdorte territorin e zënë në Kursk si një kartë negociuese në bisedimet e ardhshme të paqes me Rusinë, e cila e nisi pushtimin e plotë në vitin 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Rusia thotë se forcat e saj tani kanë arritur në kufirin me rajonin ukrainas të Sumit, pranë Kurskut.