TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Bashkëpunuam në mënyrë vendimtare për afrimin më të madh të Kishave tona” dhe “për promovimin e dialogut teologjik”, deklaroi ndër të tjera për agjencinë italiane ANSA Patriarku Ekumenik Bartholomeu, duke folur për Papa Françeskun menjëherë pas mbërritjes së tij në Romë ku mori pjesë në funeralin e Papës.
Ai kujtoi gjithashtu përpjekjet e përbashkëta që kanë bërë për çështjet e refugjatëve dhe përballimin e pasojave të shkatërrimit të mjedisit.
“Punuan me përkushtim për afrimin e mëtejshëm të Kishave tona, për promovimin e dialogut teologjik mes nesh, për tejkalimin e vështirësive, por mbi të gjitha për nxjerrjen në pah të gjithçkaje që na bashkon, me synimin që kjo rrugë të na çojë në ditën e bekuar kur do të ndajmë sërish Kupën e Përbashkët,” tha Patriarku Bartholomeu.
Duke e quajtur Papën “vëlla”, ai theksoi se kishin planifikuar një takim në maj në Nikea të Bitinisë, me rastin e 1700-vjetorit të Sinodit të Parë Ekumenik.
Patriarku theksoi se “Zoti i jetës dhe i vdekjes vendosi ndryshe, duke e thirrur pranë Vetës, dhe tani vëllai Françesku do të lutet nga Parajsa për të gjithë ne dhe për unitetin e Kishave.”
Duke vazhduar, Patriarku Bartholomeu theksoi se drejtuesit e të dy Kishave ecnin së bashku “në rrugën e ndërgjegjësimit të të fuqishmëve të botës dhe të çdo njeriu me vullnet të mirë për çështjen e refugjatëve dhe emigrantëve.
Ne dërguam një mesazh të përbashkët nga Lesbosi në çdo drejtim, në mënyrë që të gjithë njerëzit me zemër të hapur të kuptojnë se pas shifrave të ftohta ndodhen fytyra njerëzish të vuajtur dhe të frikësuar.”
“Ndanim shqetësime të përbashkëta për dëshminë tonë si barinj, për dëshminë e Kishave tona në shoqëritë tona moderne, që përballen me sfida të shumta në botën tonë të trazuar nga konfliktet dhe luftërat,” shtoi ai, duke theksuar edhe përpjekjet e përbashkëta për të përballuar shkatërrimin e mjedisit dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.
“Ndanim mendime të përbashkëta për nevojën për të mbrojtur Krijimin e Zotit, për të ruajtur Shtëpinë tonë të përbashkët, në një kohë kur planeti po përjeton përkeqësim të përditshëm mjedisor dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si rezultat i sjelljes sonë egoiste,” përfundoi Patriarku Ekumenik Bartholomeu.