BOTA, 10 Dhjetor 2022, 13:35

"Qatargate” çon në qeli gruan dhe vajzën e ish-deputetit të Parlamentit Europian

"Qatargate” çon në qeli gruan dhe vajzën e
Pier Antonio Panzeri

"Katari është bërë një referim për të drejtat njerëzore". Ky vlerësim nga Parlamenti Evropian në vitin 2019 dyshohet se u ble nga drejtuesit e shtetit të vogël në Lindjen e Mesme me paratë që u dhanë ndër vite, ndërsa media dhe aktivistët denonconin kushtet çnjerëzore dhe qindra viktimat e punës skllavëruese për punëtorët që ndërtuan infrastrukturën e kampionatit Botëror "Katar 2022" që po vijon atje.

"Qatargate" tregon se janë blerë ish-eurodeputetë dhe drejtues aktualë, por edhe familjarë të tyre, siç po del nga ngjarjet e dy ditëve të fundit. 

Policia italiane arrestoi dje, përveç të tjerëve, edhe gruan dhe vajzën e Pier Antonio Panzerit, një ish-deputet i PE-së që dyshohet të jetë i implikuar në skandalin e korrupsionit që po rritet lidhur me aktivitetet e paligjshme të lobimit nga Katari dhe që kryesori ekipin e vlerësimit në vitin 2019.

Policia belge kontrolloi 16 shtëpi dhe arrestoi të paktën katër persona në Bruksel, si pjesë e një hetimi mbi atë që prokurorët e quajtën "organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash" që përfshin shtetin e Katarit.

Përveç Panzerit, një italian që shërbeu me grupin e qendrës së majtë të socialistëve dhe demokratëve deri në 2018, u arrestua edhe zv.presidentja e PE-së, grekja Eva Kaili.

Dje policia italiane arrestoi gruan e Panzerit, Maria Colleoni, 68 vjeç, në shtëpinë e Calusco d'Adda, afër Bergamos, raportoi Corriere della Sera. Mandej policia arrestoi vajzën e tij 38-vjeçare Silvia, ndërsa avokati i tyre nuk pranoi të komentojë për gazetën.

Hetuesit në Bruksel dyshojnë se Katari ka përdorur para dhe dhurata si forma ryshfeti për të ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike në Parlamentin Evropian. 

PE ka "amnistuar" kësisoj Katarin nga akuzat për shkelje të të drejtave të njëriut dhe të drejtave të punëtorëve.

Panzeri, i cili dikur kryesonte nënkomitetin e Parlamentit Evropian për të drejtat e njeriut, është kreu i një OJQ-je të quajtur Fight Impunity, e cila synon të "promovojë luftën kundër mosndëshkimit në rast të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit". OJQ-ja u bastis dje, sipas shtypit belg.

Gjatë kontrolleve të kryera të premten, më shumë se gjysmë milioni euro para cash u zbuluan në shtëpinë e Panzerit në Bruksel, raporton gazeta Le Soir. Ndërsa eurodeputetja Kaili u pezullua nga partia e saj PASOK, pas lajmeve që tronditën Parlamentin Evropian.