TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rusia kreu një seri të re sulmesh me dronë në qytetet ukrainase, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, por shumica e tyre u zmbrapsën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, tha të mërkurën ushtria e këtij vendi.
Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se shkatërroi 21 nga 26 dronët Shahed-136/131 – të prodhuar nga Irani.
Dronët u nisën nga rajoni rus, Brijansk, dhe nga bregu lindor i Detit Azov, tha Komanda Ajrore. Një alarm katërorësh për sulme ajrore u shpall në Kiev dhe në disa rajone të tjera.
Administrata ushtarake e kryeqytetit tha se të gjithë dronët që kishin në shënjestër Kievin, u rrëzuan, por nuk e specifikoi numrin e tyre. Në Dnipro, një dron goditi ndërtesën e administratës së qytetit, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Serhiy Lysak, përmes një deklarate në Telegram.
“Një zjarr ka shpërthyer, por ai tashmë është shuar. Nuk ka banorë të plagosur. Ekipet e shpëtimit janë ende në vend të ngjarjes”, tha ai.
Shpërthime u raportuan edhe në Çerkasi, Dnipropetrovsk dhe Zaporizhja. Në rajonin e Donjeckut, forcat ruse, të kryesuara nga mercenarët e grupit Wagner, vazhduan sulmet në qytetin e Bahmutit, i cili mbetet pika më e nxehtë e luftimeve tash e sa muaj.