BOTA, 7 Prill 2022, 20:00

Lufta në Ukrainë/ Kremlini e pranon: Kemi humbje të konsiderueshme të trupave ruse në fushën e betejës

Lufta në Ukrainë/ Kremlini e pranon: Kemi humbje të

Zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia e ka pranuar më në fund humbjen e konsiderueshme të trupave. Peskov u pyet nga Sky News, nëse lufta kishte qenë një “poshtërim” për Rusinë duke pasur parasysh se trupat ruse ishin tërhequr nga Kievi, dhe shumë prej tyre kanë rënë në fushën e betejës dhe Zelenksy vijon të jetë në pushtet.

Peskov u përgjigj se kjo është qasje e gabuar për atë që po ndodh në Ukrainë. I pyetur sërish nëse Rusia ka humbur mijëra trupa, ai tha: “Po, ne kemi humbje të konsiderueshme trupash dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne”.

Ai shtoi më pas se tërheqja nga rajoni i Kievit dhe qyteti verior i Chernihiv ishte një “akt i vullnetit të mirë” për të ulur tensionet gjatë bisedimeve mes dy palëve.

Në këtë intervistë, Peskov përsëriti arsyet e Rusisë për atë që e përshkruan si një ‘operacion special ushtarak’, duke thënë se Ukraina është bërë ‘anti-ruse’ dhe Rusia ishte e shqetësuar  pasi NATO ‘kishte filluar të lëvizte drejt kufijve tanë’.

Ndërkaq më parë, Rusia ka bërë të ditur se kishte vetëm 1351 ushtarë janë vrarë. Numri i plotë i të vdekurve nuk dihet, por një zyrtar i NATO-s i cituar nga mediat amerikane, mendohet të ketë thënë se shifra e trupa ruse të rënë në fushën e luftës është mes 7 mijë dhe 15 mijë.