TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Majid Farahani, zëdhënësi i presidencës iraniane, ka deklaruar se diplomacia me Iranin mund të rifillojë “lehtësisht” nëse presidenti amerikan Donald Trump urdhëron Izraelin të ndalojë sulmet ndaj Iranit.
“Irani beson në dialog civil,” tha ai për CNN. “Nëse është drejtpërdrejt apo tërthorazi nuk ka rëndësi. Presidenti Trump mund të ndalojë luftën me vetëm një telefonatë për Izraelitë,” shtoi ai, duke përsëritur qëndrimin iranian se bisedimet janë të pamundura për sa kohë që Izraeli vazhdon sulmet.
Farahani theksoi se Irani nuk do të mbështesë ndalimin e pasurimit bërthamor, që Teherani insiston se është për qëllime paqësore, por shtoi se janë të mundshme disa lëshime.
“Ndoshta mund të jetë më i ulët, por nuk do ta ndalojmë,” tha ai.
Ditët e fundit, fuqitë evropiane janë bashkuar me thirrjet amerikane dhe izraelite për ndalim të pasurimit të uraniumit, duke ashpërsuar qëndrimet në këtë çështje kyçe. Sot, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Francës, Christophe Lemoine, tha për CNN se Franca ka “një qëndrim të qartë për zero pasurim”.
Irani argumenton se i nevojitet uranium i pasuruar për qëllime paqësore, por ndërkohë prodhon sasi të mëdha materiali që i afrohet nivelit ushtarak.
Vendimi i Trump-it për të hapur një dritare negociatash dyjavore para se të vendosë për sulme ndaj Iranit ka krijuar një rrugë të mundshme, megjithëse të vështirë, drejt një marrëveshjeje paqeje mes Iranit dhe Izraelit.
Bisedimet zhvillohen në Gjenevë mes ministrave të Jashtëm të Iranit, Francës, Gjermanisë dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, që është takimi i parë ballë për ballë i konfirmuar që nga fillimi i konfliktit.
Pas disa ditësh mesazhesh gjithnjë e më agresive nga administrata Trump, është hapur mundësia që të shmanget një veprim ushtarak.
Në fakt, vetë kampi i Trump duket i ndarë thellësisht përsa i përket vendimit nëse duhet ndërmarrë një sulm direkt ndaj Iranit.
“Nëse Amerika përfshihet në luftë,” tha Farahani, “ka shumë opsione, dhe të gjitha janë në tavolinë.”