BOTA, 11 Tetor 2025, 12:50

Katari do të ndërtojë objekt ushtarak në Idaho, sekretari amerikan i mbrojtjes konfirmon vendimin e SHBA

Katari do të ndërtojë objekt ushtarak në Idaho,

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi mbrëmë se Katarit do t’i lejohet të ndërtojë një objekt të forcave të tij ajrore në bazën ajrore” Mountain Home” në Idaho, i cili do të strehojë avionë luftarakë F-15 dhe pilotë, sipas AP.

Njoftimi vjen pak pas nënshkrimit nga presidenti Donald Trump të një urdhri ekzekutiv, ku ai zotohët se do ta mbrojë shtetin arab të Gjirit nga çdo sulm, pas bombardimeve izraelite që kishin në shënjestër udhëheqës të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha.

“Ne po nënshkruajmë një letër pranimi për ndërtimin e një objekti të Forcave Ajrore të Katarit në bazën ajrore ‘Mountain Home’ në Idaho”, tha Hegseth në Pentagon, në prani të ministrit të Mbrojtjes së Katarit, Sheikh Saoud bin Abdulrahman Al-Thani.

“Kjo vendndodhje do të presë një kontingjent avionësh F-15 dhe pilotësh nga Katari për të forcuar trajnimin tonë të përbashkët dhe për të rritur aftësinë luftarake dhe ndërveprueshmërinë”, shtoi ai.

“Ky është vetëm një shembull tjetër i partneritetit tonë. Dhe shpresoj, ekselenca juaj, që të dini se mund të mbështeteni tek ne”.

Baza në Idaho aktualisht strehon gjithashtu një skuadron avionësh luftarakë nga Singapori, sipas faqes së saj zyrtare.

Hegseth falënderoi gjithashtu Katarin për “rolin e tij të rëndësishëm” si ndërmjetës në negociatat që çuan në një armëpushim dhe marrëveshje shkëmbimi pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe për ndihmën në lirimin e një qytetari amerikan nga Afganistani.

Ministri i Mbrojtjes i Katarit vlerësoi “partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm” dhe “marrëdhëniet e thella të mbrojtjes” mes dy vendeve.

Baza ajrore “Al Udeid” në Katar është objekti më i madh ushtarak i SHBA në Lindjen e Mesme.