BOTA, 10 Tetor 2025, 21:09

U ndërprenë nga sulmet ruse, Zelensky: Energjia elektrike rikthehet gradualisht në Kiev dhe zonat përreth

U ndërprenë nga sulmet ruse, Zelensky: Energjia elektrike rikthehet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia ka pritur me qëllim përkeqësimin e kushteve atmosferike për të nisur një sulm të madh ndaj sistemit energjetik të vendit të tij. Sipas Zelenskyt, moti ka ulur me 20-30% efektivitetin e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Sulmi kryesor u përqendrua në katër rajone. Besoj se kushtet atmosferike ndikuan negativisht në kapacitetin tonë për të zmbrapsur raketat dhe dronët”, tha ai në një deklaratë nga Kievi.

Energjia dhe transporti, objektiv i sulmeve

Gjatë natës, raketa dhe dronë rusë goditën infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë për mijëra familje në kryeqytetin ukrainas. U ndërpre përkohësisht edhe funksionimi i një linje hekurudhore përgjatë lumit Dnieper.

Sipas Ministrisë së Energjisë, rreth 380 mijë shtëpi mbetën pa energji deri në orët e pasdites.

Megjithatë, kompania më e madhe private e shpërndarjes së energjisë në vend, DTEK, raportoi se ka rikthyer energjinë për të paktën 678 mijë konsumatorë në Kiev.

Zelensky e përshkroi sulmin si “i fuqishëm, por jo fatal”, duke shtuar se 203 objekte energjetike në të gjithë vendin kanë nevojë urgjente për mbrojtje ajrore për të shmangur dëme të ngjashme në të ardhmen.

Sulmet në Donetsk dhe ndihma e premtuar nga SHBA

Zelensky deklaroi gjithashtu se forcat ruse kanë tentuar të avancojnë sërish në afërsi të qytetit Dobropillja, në rajonin e Donetskut, por janë tërhequr pas humbjeve.

Në fund, presidenti ukrainas kërkoi sqarime për 10 sistemet e mbrojtjes ajrore të premtuara nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa shprehu shpresën se “aleanca e të gatshmëve”, e përbërë nga vendet që kanë premtuar mbështetje për Ukrainën, do të mblidhet sërish brenda këtij muaji.