BOTA, 14 Tetor 2025, 10:18

Grushti i shtetit/ “Planifikuan të më vrisnin", Presidenti largohet në një vend të sigurtë me një avion ushtarak francez

Grushti i shtetit/ “Planifikuan të më vrisnin", Presidenti

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, po strehohet në një “vend të sigurt” pas javësh protestash që kërkonin dorëheqjen e tij.

Presidenti 51-vjeçar tha se “një grup personeli ushtarak dhe politikanësh planifikuan të më vrisnin”.

Ai nuk e zbuloi vendndodhjen e tij, por sipas mediave vendase është larguar nga vendi me një avion ushtarak francez.

Kjo vjen pas dy javësh protestash mbarëkombëtare, të udhëhequra kryesisht nga demonstrues të rinj, që synojnë rrëzimin e tij nga pushteti.

Përpjekjet e dështuara të Rajoelinës për të qetësuar protestuesit, të quajtur “Gjenerata Z Mada”, bënë që presidenti të rrëzonte të gjithë qeverinë e tij dhe të bënte lëshime të tjera, por pa sukses.

Ai nuk është parë që nga e mërkura dhe në fundjavë zyra e Presidentit raportoi se po bëhej një përpjekje për ta detyruar atë të largohej nga pushteti.


Fjalimi i tij drejtuar kombit u shty disa herë të hënën për shkak të kaosit, pasi ushtarët kërcënuan të pushtonin selinë e televizionit shtetëror në ishullin e Oqeanit Indian.

Në një transmetim në Facebook, ai tha: “Që nga 25 shtatori, ka pasur atentate ndaj jetës sime dhe përpjekje për grusht shteti. Një grup ushtarakësh dhe politikanësh planifikuan të më vrisnin. U detyrova të gjeja një vend të sigurt për të mbrojtur jetën time. Ekziston vetëm një mënyrë për të zgjidhur këto çështje; ajo është të respektohet kushtetuta në fuqi në vend.”

Gjatë fundjavës, CAPSAT, një njësi e fuqishme ushtarake që ndihmoi në vendosjen e Rajoelinës në pushtet në vitin 2009, u përpoq ta minonte atë duke u shpallur komanduese e të gjitha forcave të armatosura, ndërsa disa nga oficerët e saj iu bashkuan protestuesve në rrugët e kryeqytetit, Antananarivo.

Pas një takimi të komandantëve ushtarakë të hënën, Shefi i ri i Shtabit të Ushtrisë i emëruar nga CAPSAT, Gjenerali Demosthene Pikulas, siguroi publikun se forcat e sigurisë po punonin së bashku për të ruajtur rendin në kombin ishullor.