BOTA, 8 Dhjetor 2022, 14:18

“Dritë jeshile” për Kroacinë në Schengen, Austria vendos veton për Bullgarinë dhe Rumaninë

“Dritë jeshile” për Kroacinë në Schengen,

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner në një deklaratë të enjten tha se vendi i tij do të vendosë veton ndaj Rumanisë e Bullgarisë për t’iu bashkuar zonës Schengen, sipas mediave të huaja.

Ai mori pjesë në një takim të kolegëve të BE-së të cilët po diskutonin edhe për anëtarësimin e Kroacisë në Schengen, i cili aktualisht përfshin 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së plus Zvicrën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Islandën.

Komisioni Europian u ka bërë thirrje vendeve të bllokut që të mundësojnë hyrjen e këtyre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë. Kancelari austriak Karl Nehammer tha qeveria e tij është e gatshme të pranojë Kroacinë, por është kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë.

Zona Schengen – me 26 vende anëtare nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes vendeve anëtare dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo leje tjera shtesë.

Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja, janë vendet e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, nuk janë vende të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen.

Komisioni Europian ka rekomanduar tashmë që Bullgaria, Rumania dhe Kroacia duhet të pranohen në Shengen, duke thënë se vendet kishin përmbushur kërkesat e nevojshme.

Por një vendim i tillë duhet të mbështetet në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët, 22 vende të BE së bashku me Lihtenshtajnin, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën  dhe Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha se  do të votonte kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, për shkak të emigracionit të paligjshëm.