BOTA, 8 Dhjetor 2022, 12:53

Irani kërkon të shtypë protestat, ekzekuton 23-vjeçarin që u akuzua e dënua për trazirat

Irani kërkon të shtypë protestat, ekzekuton 23-vjeçarin

Irani ka kryer ekzekutimin e parë publik të një personi të dënuar pas protestave të vazhdueshme që kanë përfshirë vendin.

Personi i ekzekutuar u identifikua të enjten nga faqja zyrtare e gjyqësorit iranian si Mohsen Shekari.

Shekari ishte dënuar për “luftë kundër Zotit”. Ai u akuzua se sulmoi një oficer sigurie me thikë dhe u bë shkak për mbylljen e një rruge në Teheran.

Duke demonstruar shpejtësinë me të cilën autoritetet iraniane janë zotuar të ndjekin penalisht rastet e lidhura me “trazirat” – siç i përshkruajnë shpesh incidentet që lidhen me protestat – gjyqësori tha se kishte kaluar më shumë se një muaj nga seanca e parë gjyqësore ndaj të akuzuarit dhe ekzekutimit të tij.

23-vjeçari Shekari u arrestua më 25 shtator, pak më shumë se një javë pasi shpërthyen protestat në të gjithë Iranin pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e vendit pasi dyshohet se nuk i përmbahej Kodit të veshjes të detyrueshëm të Iranit për gratë.

Shekari u dënua paraprakisht me vdekje më 20 nëntor dhe ekzekutimi i tij u krye të enjten në mëngjes pak pasi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e vendit.

Amnesty International kishte paralajmëruar në fillim të këtij muaji se të paktën 28 persona mund të përballen me ekzekutimin në Iran në lidhje me protestat, duke thënë se “autoritetet përdorin dënimin me vdekje si një mjet shtypjeje politike për t’i dhënë fund kryengritjes popullore”.