BOTA, 6 Shkurt 2026, 17:10

Akuzat për racizëm ndaj videos së publikuar nga Trump, reagon Shtëpia e Bardhë: Pamjet paraqesin presidentin si Mbreti Luan, ndërsa demokratët si personazhet e filmit vizatimor

Akuzat për racizëm ndaj videos së publikuar nga Trump, reagon

Shtëpia e Bardhë ka reaguar duke e cilësuar si “indinjatë të rreme” polemikën e krijuar pas akuzave për racizëm që shpërthyen në lidhje me një video të publikuar nga Donald Trump, në të cilën Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle paraqiten në formën e majmunëve.

Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama shfaqen si majmunë në një video me përmbajtje konspirative, kushtuar zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, e cila u publikua mbrëmjen e së enjtes nga Donald Trump në rrjetin social Truth Social, në pronësi të tij.

Në video, Trump paraqitet si “mbreti i xhunglës”, ndërsa demokratët shfaqen si personazhe të frymëzuara nga filmi “Mbreti Luan”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë për Agjencinë Franceze të Lajmeve, tha:
“Ky është një fragment nga një video e publikuar në internet që paraqet presidentin Trump si mbretin e xhunglës dhe demokratët si personazhe nga ‘Mbreti Luan’. Ndaleni këtë indinjatë të rreme dhe flisni për diçka që sot ka vërtet rëndësi për publikun amerikan.”

Videoja, me kohëzgjatje pak më shumë se një minutë, përmban pretendime për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Trump vazhdon t’i konsiderojë si të fituara prej tij dhe të “vjedhura” nga demokrati Joe Biden.

Pak sekonda para përfundimit të videos, për rreth dy sekonda, shfaqet një pamje e montuar ku fytyrat e buzëqeshura të Barack dhe Michelle Obama janë vendosur mbi trupa majmunësh, me sfond një xhungël, pamje që ka nxitur reagime dhe akuza të forta për përmbajtje raciste.