SPORT, 3 Tetor 2020, 18:09

“Bisha” Haaland shënon dygolësh, Frieburgu i Abrashit dorëzohet pa kushte

“Bisha” Haaland shënon dygolësh, Frieburgu i Abrashit

Borussia e Dortmundit dëfreu tifozët e pranishëm (numër i kufizuar) në “Signal Iduna Park” në sfidën përballë Frieburgut, që e fitoi thellë me rezultatin 4-0. Erling Haaland rezultoi sërish vendimtar për verdhezinjtë me një dygolësh dhe asistin e dhënë për golin e fundit, ndërsa në kampin kundërshtar ishte grumbulluar, por nuk luajti qoftë një minutë, futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Amir Abrashi.

Talenti norvegjez shënoi golin që zhbllokoi sfidën pas gjysmë ore lojë, i shërbyer nga Giovanni Reyna, ndërsa në fillim të pjesës së dytë dyfishoi epërsinë Emre Can, pas bashkëpunimit me Reynan. I njëjti futbollist siguroi asistin e tretë dhe të dytin për Haaland në minutën e 66-të, ndërsa në shtesë gjiganti 20-vjeçar (Haaland), edhe pse i kishte të gjitha mundësitë për të shënuar vetë, shërbeu për 22-vjeçarin Passlack, i cili realizoi golin e parë në Bundesligë, për rezultatin përfundimtar 4-0. Në takimet e tjera u arritën këto rezultate:

Eintracht Frankfurt – Hoffenheim 2-1

FC Koln – B. Monchengladbach 1-3

Stuttgart – Bayer Leverkusen 1-1

Werder Bremen – Arminia Bielefeld 1-0