AKTUALITET, 13 August 2026, 20:59

Legalizime në zonat arkeologjike? Gonxhja vlerëson punën e IKTK: Model profesionalizmi, nuk do të heshtim përballë shpifjeve!

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas lajmeve të publikuara për pretendime mbi "legalizime" ndërtimesh në zona arkeologjike. Në një postim në rrjetet sociale, ai doli në mbrojtje të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke e cilësuar atë një model profesionalizmi dhe transparence, ndërsa tha se nuk do të lejojë që të cenohet dinjiteti i punonjësve "pa asnjë provë dhe pa asnjë bazë të ligjshme".

Gonxhja u shpreh se ministria që drejton nuk i shmanget kritikave, auditimeve apo kërkesave për llogari, por, sipas tij, nuk do të heshtë përballë asaj që e cilësoi si shpifje dhe sulme ndaj IKTK-së. Ai tha se ripublikimi i një lajmi në disa portale nuk e bën atë të vërtetë dhe paralajmëroi se, krahas punës për projektet e trashëgimisë kulturore, do të zbardhen edhe, sipas tij, "regjitë okulte" dhe autorët e sulmeve ndaj institucionit.

"Bjeri ti biem Gonxhes se si shumë po ngre kokë ministria që drejton? Apo orekse e porosi gushti e shtatori helbete? Se thes mielli ta harrojnë! Thes boksi mbase, nxirreni dufin, fort! Po pemës me kokrra i sulen, dihet - IKTK sot një model shërbimi, profesionalizmi e zero burokracie, jo në komoditet, me shumë sakrificë e përkushtim kolektiv por dhe drejtimi. Krenari për MTKS rezultatet dhe puna konkrete, e prekshme, plot risi dhe reformuese e sistematike, si edhe transparente, e ekipit të IKTK!

Ndrruar faqja institucionit në shifra, në volum praktikash të zgjidhura, në sukses programesh e projektesh për trashëgiminë e rijetëzimin e historisë përmes ndërveprimit administrativ por dhe bashkëpunimeve të shumta. Unë dhe ministria që drejtoj nuk jemi refraktarë ndaj asnjë kritike, auditi, kontrolli apo kërkese llogarie, ama nuk do lejojmë kurrë të cënohet dinjiteti i punonjësve pa asnjë provë, pa asnjë bazë apo arsye të ligjshme, e aq më keq të heshtim kur sulmet janë dukshëm antigazetari e shpifje. Loja e ripostimeve, portal pas portali nuk e pastron burimin e as legjitimon dot lajmin e rremë, baltën e fabrikuar apo porositësin e fshehur pas kuintave. Do gjejmë kohën jo vetëm të punojmë energjikisht për rekorde punësh të mira për vendin, sektorin dhe misionin tonë ekzekutiv e politik por edhe për t’u grisur maskat dhe fletë-gjobat tërë regjive okulte e frengjive urrejtëse të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit!" shkruan Gonxhja.