AKTUALITET, 6 Nëntor 2020, 15:01

Biden përmbys rezultatin edhe në Pensilvani, shuan shpresat e Trump për presidencën


SHBA- Kandidati për President, Joe Biden, ka përmbysur rezultatin edhe në shtetin e Pensilvanisë, ku fillimisht udhëhiqte Donald Trump.

Nëse Biden do ta mbajë këtë avantazh deri në fund, çka duket mjaft e mundshme, sepse votat që po numërohen janë ato me postë, atëherë ai do të jetë fitues i zgjedhjeve.

Humbja e mundshme e shtetit të Pensilvanisë, shuan shpresat e Donald Trump, sepse pa këtë shtet ai nuk ka asnjë shans për t'u shpallur fitues.

Për momentin Biden ka 5,587 vota më shumë se Trump, por sipas CNN ky avantazh pritet të rritet, sepse votat e mbetura janë ato me postë, në të cilat Biden ka avantazh, pasi demokratët kanë preferuar këtë mënyrë votimi, ndërsa republikanët kanë votuar në ditën e zgjedhjeve, duke dëgjuar edhe thirrjen e Trump.

Biden gjithashtu ka përmbysur rezultatin në shtetin e Georgia, ku udhëheq me një diferencë të ngushtë votash.

Presidenti Trump, doli mbrëmjen e djeshme në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se ai i "fiton lehtësisht" zgjedhjet nëse numërohen vetëm "votat e ligjshme". Trump hodhi akuza për manipulim zgjedhor dhe tha se "sistemi është i korruptuar", duke u bërë presidenti i parë në SHBA, që vendos në dyshim integritetin e zgjedhjeve.

/TPZ.al/