AKTUALITET, 26 Korrik 2019, 13:29

Betimi i kreut të ri të bashkisë Devoll, PD: E paligjshme, mbledhja u bë në ilegalitet

Betimi i kreut të ri të bashkisë Devoll, PD: E paligjshme,


Koordinatori i PD-së për Devollin, ish-deputeti Endri Hasa ka reaguar pas betimit të kryetarit të ri të bashkisë.

Në një postim në Facebook, Hasa është shprehur se betimi sot është në paligjshmëri të plotë, pasi mandati u dha në prefekturë dhe jo në bashki ashtu siç e thotë ligjit.

“Për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi ku shpërndahen mandatet e pavlefshme, në prefekturë, në zyrat e PS apo në ndonjë godinë private”, shkruan Hasa.

Postimi i plotë:

Paligjshmëria e 30 Qershorit po thellohet akoma më shumë sot në Bashkinë e Devollit. Të pavotuar nga shumica e devollinjve, ediramat e Devollit janë mbledhur në ilegalitet, larg qytetarëve dhe po marrin në godinat e qeverisë mandatet e pavleshme të këshilltarëve bashkiakë.

Është hera e parë në historinë e pluralizmit kur PS, injoron Bashkinë, institucionin që përfaqëson vullnetin direkt të qytetarëve. Është hera e parë që mandatet e paligjshme jepen në prefekturë, kundër vullnetit të qytetarëve. Është hera e parë që pakica vendos për shumicën.

Për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi ku shpërndahen mandatet e pavlefshme, në prefekturë, në zyrat e PS apo në ndonjë godinë private.

Për të ka rëndësi vetëm të kontrollojë gjithçka! Shqipëria është në rrezik!

Çdo pushtet sot është në duart e Edi Ramës dhe po përdoret kundër interesit publik. Bashkitë janë vetëm një burim për të grabitur. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë, prandaj e refuzuan me një vendim plebishitar më 30 Qershor!

Ne na takon t’ia shkurtojmë jetën këtij regjimi mbytës për vendin.