Duke theksuar se Ministri i Brendshëm ka më shumë informacion se Kryeministri, kreu i SHISH dhe se Presidenti, Sali Berisha u shpreh se Edi Rama është skllav i informacioneve dhe dosjeve që Saimir Tahiri ka për të.
I ftuar në emisionin “360 gradë”, ish-kryeministri renditi disa ngjarje, të cilat sipas tij, inkriminojnë Edi Ramën dhe Tahiri ka informacion të detajuar për to.
Sali Berisha kujtoi dosjen e Xibrakës, Mark Frrokun, djalin e Luiza Xhuvanit dhe jo vetëm, ndërsa shtoi se Edi Rama është peng i Saimir Tahirit pasi ky i fundit di për Edi Ramën sa vetë kryeministri di për veten e tij.
“Mendoj se marrëdhëniet midis tyre janë tipike si ato të dy kockave mafioze, të cilat vënë në hipotekë për njëri tjetrin, kokat e tyre.
Edi Rama, skllav i informacioneve dhe dosjeve që Tahiri ka për të që nga dosja e Xibrakës, unë po të them këtu, jo vetëm që Olsi Rama ka kauar mbi 5 herë kufirin me makinën e drogës së grupit të Xibrakës, por ekzistojnë kilometra biseda mes Ramës e grupit, të cilat Tahiri i ka të gjitha.
Tahiri di se kush e urdhëroi atë dhe kush i dha platformën e kanabizimit të Shqipërisë, ai di se kush i dërgonte valixhet me euro tek Edi Rama, se pse ai urdhëroi të fshihen urdhëri i intepolit për arrestin e Mark Frrokut, Tahiri di se kush i urdhëroi autoritetet shqiptare për ti hapur rrugë Arben Frrokut në Kroaci, Saimir Tahiri e di se kush urdhëroi lirimin e Bardhok Kllanës kur policia e ndaloi në Laprakë. Tahiri di për Edi Ramën, pothuaj sa di Edi Rama për veten e tij.
Tahiri e di se ç’bëri Edi Rama me superkillerin e Luiza Xhuvanit.
Duhet të dini një gjë, në Shqipëri, njeriu që ka informacion të pakrahasueshëm është Ministri i Brendshëm, më shumë se kryeministri, se kreu i SHISH se Presidenti etj.” – u shpreh Sali Berisha.