AKTUALITET, 1 Gusht 2018, 19:42

Berisha: Qeveria ngrin pagat e policëve, mësuesve, mjekëve dhe gjithë administratës

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon qeverinë se ka ngrirë pagat e administratës si dhe mjekëve, infermierëve e policëve dhe bën thirrje për protestë.

Në një status në “Facebook”, Berisha shkruan se kjo ngrirje e pagave de facto është ulje e tyre duke llogaritur inflacionin. Ndaj sipas tij, me uljen e pagave, i jepet një goditje e rëndë shërbimeve për qytetarët.

STATUSI I BERISHËS

Narkoqeveria ngrin pagat, de facto i ul ato!

Të dashur miq, ndërkohë që vetë vjedhin me valixhe paratë e taksapaguesve para largimit me pushime vendosën të ngrijnë pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, policëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të administratës duke anuluar vendimin e mëparshëm.

Ky është një skandal prej zuzarësh. Në të vërtetë me këtë akt ata po të kemi parasysh inflacionin i ulin rrogat e punonjësve të shtetit dhe i japin një goditje të rëndë shërbimeve për qytetarët.

Duke denoncuar këtë akt të papërgjegjshëm ju bëj thirrje punonjësve të administratës protestoni me të gjitha mënyrat kundër Noriegës dhe narkoqeverisë së tij. sb