AKTUALITET, 2 September 2026, 12:14

Aksidenti me vdekjen e dyfishtë në Vaun e Dejës/ “Ambulanca erdhi nga Shkodra", urgjenca reagon sërish: Mbërriti në 18:44, jo në 19:44

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar sërish pas ngjarjes tragjike të 29 gushtit, ku në fshatin Karmë të Vaut të Dejës humbën jetën Sokol Preka dhe David Deda pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike.

Në reagimin e sotëm Urgjenca ka publikuar skedën e orareve, ku thekson se ambulanca e cila ka pasur difekt ka mbërritur në vendngjarje në orën 18:44. Ndërsa një orë më vonë në 19:44 ka mbërritur ambulanca në Spitalin e Shkodrës.

"Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në kuadër të transparencës, sqaron se në rastin e pacientit të parë të goditur nga rryma elektrike, orari i mbërritjes së ambulancës në vendngjarje është ora 18:44, jo ora 19:44. Është orari i mbërritjes në spitalin e Shkodrës të ambulancës ora 19:44. Bashkëlidhur është komunikimi dhe e njëjta skedë që është publikuar ditën e djeshme në në faqen e QKUM-së,"-thuhet në postim bashkangjitur skedës.

Lidhur me rastin banorët e Vaut të Dejës u ngritën në protestë, teksa deklaruan se ambulanca mbërriti rreth një orë e 30 minuta pas njoftimit, vonesë që, sipas tyre, ndikoi në humbjen e jetës së dy viktimave. Duke marrë shkas nga rasti banorët kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të kthehet në një urgjencë funksionale, me mjekë 24 orë, ambulancë të përhershme dhe shërbime të plota për banorët.