SPORT, 9 Nëntor 2020, 17:52

Befason Andrea Dovizioso, tërhiqet nga MotoGP

Befason Andrea Dovizioso, tërhiqet nga MotoGP

Andrea Dovizioso refuzon ofertën e Yamahas dhe piloti italian nuk përjashton aspak mundësinë e një tërheqje të përkohshme nga garat për sezonin e ardhshëm. Faktorët që mund të kenë influencuar për t’i shtyrë gjërat deri në këtë pikë janë të shumtë, megjithëse për hir të së vërtetës për momentin nuk ka akoma diçka të konfirmuar dhe vetë 34-vjeçari romanjol ka bërë të qartë se bëhet fjalë për thjesht një vit pushimi, por kurrsesi për një tërheqje përfundimtare nga garat.

Viti 2020 do të mbahet mend gjatë si një vit tepër i mbrapshtë për shkak të pandemisë së Koronavirusit dhe natyrisht frika e infektimit nga Virusi Covid – 19 i shtrëngoi organizatorët e DORNA-s për të shtyrë startin e sezonit me katër muaj, duke nisur edicionin e 72-të të kampionatit botëror të motoçiklizmit vetëm në mesin e muajit korrik. E pra, pas rrëzimit të kampionit në fuqi të botës dhe dominuesit të Klasit Mbretëror Marc Marquez, që kishte fituar 6 nga 7 edicionet e fundit të cilindratës më të lakmuar, që të gjithë mendonin se më në fund ishin pjekur kushtet për veteranin italian, për t’u kurorëzuar me trofeun në Moto GP.

Ky i sivjetshmi është sezoni i tetë për Dovin në radhët e Ducatit, motor me të cilin numri 4 u shpall tri herë rresht si nënkampion bote në Klasin Mbretëror. Kështu pas dëmtimit të rëndë dhe mungesës së gjatë të kanibalit spanjoll në mënyrë të kuptueshme i takonte pikërisht Doviziosos për të veshur petkun e favoritit.