SPORT, 8 Nëntor 2020, 21:49

Gola dhe spektakël në “Bay Arena”, Bayer Leverkusen mposht Borussia Monchengladbach

Gola dhe spektakël në “Bay Arena”, Bayer Leverkusen mposht

Shtatë gola dhe shumë spektakël në “Bay Arena” në përballjen mes Bayer Leverkusen dhe Borussia Monchengladbach, ndërsa në fund festuan vendasit që triumfuan me rezultatin 4-3 dhe regjistruan fitoren e katërt radhazi në kampionat.

Pjesa e parë ishte një betejë personale mes sulmuesit mik Lars Stindl, që kaloi dy herë në avantazh Borussian dhe Lucas Alarios që riktheu baraspeshën në të dy rastet për “aspirinat”.

Këta të fundit dominuan edhe pjesën e dytë, ku shënuan dy herë, fillimisht me Bailey dhe më pas me Baumgartlinger, ndërsa për miqtë shënoi Lazaro në minutat shtesë, por atëherë nuk kishte më kohë për të shmangur humbjen.

Me këtë fitore Bayer Leverkusen ngjitet në vendin e katërt me 15 pikë në 7 javët e para, ndërsa Borussia Monchengladbach mbeti në vendin e shtatë me 11 pikë të grumbulluara.

Më herët në Bundesliga u zhvillua një tjetër ndeshje emocionuese, ajo mes Wolfsburgut dhe Hoffenhaimit, që përfundoi me rezultatin 2-1 të vendasve. Steffen dhe Weghorst shënuan dy gola të shpejtë për “ujqërit”, ndërsa ky i fundit shpërdoroi edhe një penallti në minutën e 82-të.

Adamyan rihapi lojën për Hoffenhaim në minutën e 87’ dhe deri në fund ndeshja ishte mjaft emocionuese, pasi miqtë fituan edhe një penallti në shtesë, por Dabbur nuk arriti të shënojë dhe të shmangë humbjen.