TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar se lista e mbështetur nga studentët ka fituar zgjedhjet parlamentare, sipas vlerësimeve paraprake të publikuara prej tij, ndërsa rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.
Në një deklaratë për qytetarët, Vuçiç tha se lista e studentëve, të cilët i cilësoi si “bllokues”, pritet të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në Kuvend, ndërsa lista e tij rreth 105 mandate.
“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar lista e studentëve”, deklaroi Vuçiç, duke theksuar se shifrat bazohen në një kampion të përpunuar dhe se rezultatet nuk janë përfundimtare.
Sipas vlerësimeve të tij, lista e studentëve ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa lista e mbështetur prej tij rreth 1.72 milionë.
Vuçiç tha gjithashtu se, përveç këtyre dy listave, në Kuvend mund të përfaqësohen edhe partitë e pakicave, përfshirë hungarezët e Vojvodinës me tre mandate dhe shqiptarët me një mandat. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e përfaqësimit të SDA-së, por u shpreh i pasigurt për këtë të dhënë.
Në zgjedhjet e së dielës, qytetarët serbë votuan për 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2,418 kandidatë për 250 vende në Kuvend. Të drejtë vote kishin 6,451,292 qytetarë, ndërsa votimi u zhvillua në 8,392 qendra votimi.
Rezultatet e deklaruara nga Vuçiç mbeten paraprake dhe pritet të konfirmohen nga numërimi zyrtar i votave.