SPORT, 8 Nëntor 2020, 23:14

Ibrahimoviç “ngec” ndaj Veronës, por Milani mbetet në krye

Ibrahimoviç “ngec” ndaj Veronës, por Milani mbetet

Vetëm tri ditë pasi u mposht 0-3 nga Lille, Milani ngec sërish në “San Siro”, pasi këtë herë nuk shkoi më shumë se një barazim i mundimshëm 2-2 ndaj Veronës, në një ndeshje ku iu desh të rikuperojnë disavantazhin e dyfishtë të miqve.

Gjithçka nisi keq për kuqezinjtë, që humbën kapitenin Romagnoli gjatë nxehjes dhe në fushë zbriti Gabbia, ndërsa në minutën e 6’ ishte sulmuesi Antonin Barak që pas një rrëmuje në zonë, arriti të dërgojë topin në rrjetën e portës së Donnarumës.

Në minutën e 19’ ishte sulmuesi Zaccagni që gjuajti bukur nga jashtë zonës dhe topi përfundoi në përfundoi në rrjetë falë edhe një devijimi të mbrojtësit Calabria, i cili nxori jashtë loje portierin Donnarumma.

Kuqezinjtë provuan të rikthehen në lojë dhe ia dolën të rihapin takimin në minutën e 27’, kur pas një aksioni të shpejtë, ishte Kessie që gjuajti dhe topi i përplasur në trupin e mbrojtësit Magnani përfundoi në portën e Veronës.

Pjesa e dytë nisi me një rast mjaft të mirë për Veronën, kur pas një zbritjeje të bukur në krah nga ana e Zaccagnit, ishte Dimarco që shpërdoroi, duke gjuajtur jashtë vetëm pak metra larg portës, ndërsa Milani u kundërpërgjigj me një gol të Calhanoglu, që u anulua për një pozicion jashtë loje milimetrik.

Në minutën e 65-të kuqezinjtë patën mundësinë më të mirë për të rikthyer baraspeshën, pasi Lovato shkaktoi një penallti në dëm të Kessie, por gjiganti suedez gaboi nga pika e 11 metrave, duke e dërguar topin mbi traversën e portës së Silvestrit.

Momenti më i mirë për Milanin ishte mes minutës së 74-t dhe të 76’, teksa gjatë ekzekutimit të disa goditjeve nga këndi radhazi, Ibra goditi traversën dhe më pas u ndal nga një pritje spektakolare e portierit Silvestri.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Calabria shënoi golin e barazimit, por edhe këtë herë arbitri Guida e anuloi me ndihmën e VAR-it, pasi topi ishte ulur me dorë nga ana e Zlatan Ibrahimoviç.