BOTA, 7 Nëntor 2017, 10:17

BE premton veprim tatimor pas “Paradise Papers”

Ditët në “parajsë” tashmë janë drejt fundit për ata që kërkonin parajsat fiskale, në ishujt e largët, në përpjekje për të shpëtuar nga barra e taksave të rënda. Ministrat e financave që përfaqësojnë tregun më të madh në botë, eurozonën, u zotuan të ndërmarrin veprime pas rrjedhjes së të dhënave që ekspozoi emra të njohur të biznesit global.

“Ne do të shqyrtojmë dokumentet e reja dhe do të diskutojmë pasojat që kjo ka për legjislacionin e ardhshëm të BE”, tha të hënën ministri gjerman i Financave Peter Altmaier, përpara një takimi me homologët e tij të eurozonës. “Ne do të vështrojmë më kujdes këtë,” tha ai, duke iu referuar të ashtuquajturave “paradise papers” nga Konzorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues dhe partnerët mediatik.

Grupi i ri i të dhënave të marra nga një firmë ligjore në det të hapur përsëri ekspozoi pasurinë e fshehtë të individëve dhe tregon se si korporatat, fondet dhe investitorët mund të shpëtojnë nga taksat. Një vit pas Panama Papers, kjo rrjedhje e re masive e informacionit konfidencial nga firma e ligjit Apple Bermuda Company Services Ltd ka nxjerrë dritë mbi përdorimin off-shore, shkruan Bloomberg.

Apple Inc., e cila është përplasur me Komisionin Europian mbi taksat, u përfshi në këtë skandal. BBC njoftoi se krijuesi i iPhone e ka zhvendosur njësinë e vet që mban pjesën më të madhe të rezervës së saj në Ishullin Channel të Jersey, pas një “goditjeje të vitit 2013 mbi praktikat e saj të diskutueshme të taksave irlandeze.

Eurozona ka rritur përpjekjet vitet e fundit për të trajtuar fenomenin e shmangies së taksave nga kompanitë shumëkombëshe dhe individë të pasur.

“Nëse një oaz tatimor mbyllet, hapet një tjetër”, tha ministri austriak i financave Hans Joerg Schelling. “Ne duhet të bëjmë më të ashpra masat dhe ata që nuk marrin pjesë në rregullat e OECD-së – qoftë në shkëmbimin e informacionit apo masa të tjera, duhet të vendosen automatikisht në një listë të zezë në mënyrë që të gjithë të bëhen të gatshëm t’i mbyllin këto shmangie taksash.”