AKTUALITET, 27 Janar 2019, 14:26

Bashkohen dosjet/ Grabitjet e argjendarive janë kryer nga i njëjti grup

Bashkohen dosjet/ Grabitjet e argjendarive janë kryer nga i njëjti

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë hetimet për 4 raste grabitjesh që dyshohet se janë kryer nga i njëjti grup personash.

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë hetimet për 4 raste grabitjesh, që dyshohet se janë kryer nga i njëjti grup personash. Konkretisht, mësohet se pas hetimeve paraprake, akuza e kryeqytetit ka bashkuar dosjet e grabitjeve të argjendarive në Lushnjë dhe Tiranë, pasi kanë rezultuar karakteristika të ngjashme të sjelljes së autorëve, por edhe veshjeve që kanë përdorur.

Kujtojmë se prej fillimit të këtij viti, grabitjet me dhunë kanë qenë problemi më i madh i Policisë, ndërsa deri tani nuk është bërë zbardhja e asnjërës prej tyre. Një tjetër dosje e bashkuar me dy të parat është edhe grabitja e dy bankomateve në Vorë dhe Kamzë në të njëjtën ditë. Skema është e njëjtë, thotë Prokuroria, ndërsa burime thonë se të dyshuar janë edhe disa persona, por hetimet vazhdojnë për të bërë zbardhjen e plotë të grabitjeve dhe funksionimin e grupit.

SKEMA DHE GRABITJET

Sipas hetimeve të deritanishme, mësohet se personat që kanë kryer grabitjet e dy argjendarive janë mjaft agresivë në sjellje dhe pasi futen në ambientet e brendshme, ata shkatërrojnë gjithçka dhe largohen duke marrë çfarë të munden.

Nga kamerat e sigurisë, ata duken të veshur të gjithë me të zeza, kanë kapuça dhe dorashka në duar dhe të njëjtat veshje kanë përdorur në të dyja rastet, në Lushnjë dhe në Tiranë. Konkretisht, vjedhja në Lushnjë është kryer nga 4 persona të maskuar, rreth orës 5 të mëngjesit. Sipas pamjeve të kamerave, fillimisht hajdutët kanë hapur me levë hekuri qepenin e më pas kanë thyer xhamat e dyqanit dhe të vitrinave.

Ata kanë arritur të marrin të gjitha bizhuteritë e ekspozuara nëpër vitrina, si edhe disa orë të shtrenjta. Ndërsa ngjarja është e gjitha e kapur nga kamerat e sigurisë. Edhe në rastin e grabitjes së argjendarisë në Tiranë, është e njëjta skemë. Katër persona, që dyshohet se kanë përdorur mjetet të forta për të thyer xhamat e dyerve të argjendarisë, më pas kanë marrë aty bizhuteri dhe gurë të çmuar. Në xhamat e derës së argjendarisë janë fiksuar disa gjurmë gishtash, të cilat po verifikohen nëse u përkasin grabitësve apo janë të punonjësve të dyqanit. Ndërkohë, për këtë rast janë proceduar penalisht edhe dy roje të argjendarisë për shpërdorim detyre, pasi gjatë momentit që ka ndodhur ngjarja, ata kanë qenë në gjumë.

THYERJA E BANKOMATEVE

Edhe thyerjet e dy bankomateve në Vorë dhe Kamzë dyshohet se ka ndodhur nga i njëjti grup, i cili në momentin e thyerjes janë kapur nga kamerat e sigurisë, ndërsa kanë qenë të maskuar. Referuar Policisë, thyerja e bankomatit në Vorë është kryer në orët e para të mëngjesit të datës 17 janar.

“Persona ende të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur me anë të thyerjes lekët në një bankomat, por nuk kanë mundur të kryejnë vjedhjen. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftonte Policia disa ditë më parë.

Thyerja e bankomatit në Vorë është bërë disa ditë pas atij në Kamzë.