AKTUALITET, 27 Nëntor 2018, 11:48

“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, Gjosha: Deklarata e Ramës është alarm i madh

“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, Gjosha: Deklarata

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për deklaratën e bashkimit me Kosovën.

Gjosha tha se këto deklarata të Ramës janë një alarm i madh për të dy shtetet, dhe thirrje të tilla nacionalistë trazojnë marrëdhëniet e brishta në rajon.

Qeveria “Rama” zhvilloi ditën e djeshme në Pejë mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës, ku bëri edhe deklaratën nacionaliste, gjë e cila është kritikuar ashpër nga opozita shqiptare.

Reagimi i Gjoshës:

Deklaratat e Kryeministrit për bashkimin me Kosovën janë një alarm i madh për dy shtete të pavarura, për të cilat perspektiva e vetme në të ardhmen është ajo europiane.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që me meritë duhet të ecin përkrah njëra tjetrës drejt BE, duke bashkëpunuar mbi të gjitha ekonomikisht që t’i bëjmë ballë sfidës së një konkurrence të madhe tregu.

Janë deklarata të tilla nacionaliste dhe të papërgjegjshme që trazojnë gjithmonë marrëdhëniet e brishta të rajonit tonë. Janë pikërisht këto deklarata që nuk ndihmojnë vazhdimësinë e një dialogu konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe e vendosin Shqipërinë në një pozicion të vështirë me fqinjët, ku politika ‘Zero Probleme me Fqinjët’ e ka humbur tashmë kuptimin!

Këto qëndrime nuk mund të pranohen si shfajësim për braktisjen e qeverisjes së vendit, as për mos përmbushjen e kushteve që Shqipëria të çelë negociatat.

Këto janë qëndrime të një shtetari të frikësuar që përdor kërcënimin ndaj BE-së në vend të rezultateve konkrete. TPZ.AL