AKTUALITET, 18 Qershor 2019, 22:11

Basha: Sikur Rama të kishte bërë këto gjashtë punë sot BE…

Basha: Sikur Rama të kishte bërë këto gjashtë punë

Gjatë konferencës për shtyp të mbrëmjes së të martës kreu i PD-së, Lulzim Basha radhiti arsyet sipas tij pse Shqipëria mori sot një tjetër “jo” nga Bashkimi Europian. Kreu i opozitës thotë se nëse Rama do kishte bërë vetëm 6 punë, sot Shqipëria do të ishte duke negociuar me Brukselin.

“Sikur Shqipëria të mos ishte kanabizuar, sikur Shqipëria të mos ishte qendër e drogës, sot do të ishim duke negociuar. Sikur Saimir Tahirët, Elvis Roshët, Vangjush Dakot, Damian Gjiknurët të ishin në burg dhe jo të lirë dhe në majat e politikës, ne do të ishim duke negociuar. Sikur drejtorët dhe burokratët t’u shërbenin njerëzve, në vend që të vidhnin vota për partinë, do të ishim duke negociuar.

Sikur në vend të fasadave, të kishim ndërtuar porte dhe rrugë, do të ishim duke negociuar. Sikur në bregdet të ishin duke investuar kompanitë europiane dhe jo oligarkët grabitqarë dhe kriminelët që pastrojnë paratë e drogës, do të ishim duke negociuar. Mbi të gjitha, sikur të kishim zgjedhje të lira, sot do ishim duke negociuar” – tha Basha.