AKTUALITET, 1 Qershor 2019, 20:40

Basha: Njëra anë do të fitojë, kriminelët ose populli

Basha: Njëra anë do të fitojë, kriminelët ose populli

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i pranishëm sot te Unaza e Re, teksa ka ftuar qytetarët në protestën e nesërme të opozitës është shprehur se në fund do të ketë një fitues, ose populli ose kriminelët, duke iu referuar me këtë cilësim qeverisë.

“Që shtëpitë tuaja të jenë të sigurta dhe këta fëmijë të ikin pa pasur frikë në shkolla, nuk mjafton të identifikojmë të keqen. E keqja duhet shkulur me rrënjë. Që populli të vendos duhet që nesër t’i bashkohemi protestës së madhe kundër keq-qeverisjes. Organizata kriminale e Rilindjes është katandisur si mos më keq, do të përballet me uraganin opozitar. Njëra anë do të fitojë, kriminelët ose populli. Kjo është beteja, kjo është kauza, e në këtë sfidë nuk ka dilema, ose je njeri i dinjitetshëm ose je qen i krimit. Duhet ta shkulim të keqen me rrënjë. Duhet qeveri tranzitore dhe të kemi një parlament demokratik e për to PD është e gatshme të luftojë deri në fund.

Ajo që kanë bërë ka qenë një traumë për popullin, mirëpo ajo që ka bërë kombi shqiptar ka bërë që të ndizet pishtari i demokracisë. Për të gjithë ju bashkëqytetarë ka vetëm një mesazh: Bashkimi për të shkulur të keqen me rrënjë, bashkohuni në rrugën pa kthim, për të mos lejuar më asnjë dramë njerëzore e familjare, asnjë shkelje nga një grusht horrash, që janë vetëm banda që duhen shporrur me çdo kusht”, deklaroi kreu i PD Basha.