TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagon pas konferencës për shtyp të para pak minutave të ministres së drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Sipas Bardhit, në vend që të mashtrojë qytetarët, ministrja bën mirë të gjejë një avokat.
"Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat. Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese.
Provat e paraqitura nga Presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të Ministres së Drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo", shprehet numri dy i selisë blu.
Në konferencën e sotme për shtyp, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i cilësoi akuzat e Presidentit Ilir Meta një lajthitje ligjore, ndërsa sqaroi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas saj, as vetë Presidenti nuk e beson versionin e tij se në Ministrinë e Drejtësisë ndodhet një “grup i strukturuar”, që po tenton të bëjë grusht shteti.
“Presidenti artikulon papushim për të drejtën e tij për të pezulluar numërimin e ditëve të afatit qe i jep ligji kushtetues, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi i një afati prekluziv që as nuk pezullohet dhe as ndryshohet nga institucioni që duhet të veprojë sipas afatit, është një koncept që faktikisht nuk ekziston në asnjë praktikë kushtetuese. Pra juridikisht mund të konsiderohet nonsens dhe logjikisht më së paku një lajthitje ligjore”, tha ndër të tjera Gjonaj.