AKTUALITET, 24 Shtator 2019, 23:04

Barcelona rikthehet te fitorja, Granada merr kryesimin e kampionatit

Barcelona rikthehet te fitorja, Granada merr kryesimin e kampionatit

Janë luajtur sot disa nga ndeshjet e javës së gjashtë të kampionatit spanjoll, aty ku Barcelona është rikthyer te fitorja. Skuadra e Valverdes ka mundur me rezultatin 2-1 Vijarealin, në një ndeshje të luftuar nga të dyja skuadrat.

Takimi ka nisur mirë për katalanasit që kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës që në minutën e 6 me anë të Grizman, ndërkohë që në minutën e 15 ka shënuar golin e dytë Artur. Deri këtu, u duk se për Barcelonën do të jetë një ndeshje e lehtë që mund të kthehet në goleadë por nuk ka ndodhur kështu.

Santi Kazorla ka arritur të shënojë në minutën e 44 të takimit, duke rihapur takimin. Mesfushori 34-vjeçar që njihet edhe si “njeriu puzzle” për shkak të operacioneve që e kanë detyruar të marrin copa në trup dhe t’i vendosë në pjesë të tjera, ka rihapur takimin megjithatë me rezultatin 2-1 është mbyllur takimi.

Sakaq, barazimi në transfertë ndaj Vajadolidit, e ka ngjitur Granadën në vendin e parë përkohësisht me 11 pikë, aq sa kanë edhe Bilbao e Reali dhe me një pikë më shumë se Barcelona.