AKTUALITET, 19 Mars 2018, 08:41

Ballkani vendos “paqen” fiskale

Tani rajoni i Ballkanit synon të integrohet si një i tërë dhe të harmonizojë politikat fiskale për investimet e huaja, duke lënë pas konkurrencën fatale

Vendet e rajonit të Ballkanit u kanë dhënë fund një konkurrence fiskale të gjatë dhe të dëmshme në të ardhurat fiskale, edhe pse synimi i tyre ishte tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte.

Tani rajoni i Ballkanit synon të integrohet si një i tërë dhe të harmonizojë politikat fiskale për investimet e huaja. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka analizuar përparësitë dhe mangësitë që kanë vendet e rajonit të WB6 (Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja) në sektorin e IHD-ve.

Analiza nxjerr në dukje se, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon për korporatat (15%), teksa vendi ynë ka nivelin më të ulët të incentivave fiskale ndaj investimeve. Në dokumentin e Rishikuar të Politikave të Investimeve në Europën Juglindore shihet se, ekonomitë kombëtare të rajonit aplikojnë regjime tatimore komplekse. Regjimet komplekse të taksave të karakterizuara nga norma tatimore të shumëfishta të korporatave dhe një numër i madh skemash nxitëse janë të vështira për t’u administruar nga autoritetet tatimore dhe për t’u kuptuar nga investitorët.

Përveç kësaj, gjatë viteve të fundit, shumë ekonomi të rajonit kanë ndërmarrë hapa për të zvogëluar kompleksitetin e regjimeve të tyre si pasojë e përpjekjeve për të harmonizuar legjislacionet në këtë fushë me ato të BE në kuadër të proceseve integruese.

Në përpjekje për të siguruar harmonizimin me legjislacionin ndërkombëtar për investimet,

Bosnja shfuqizoi stimujt e taksave për aktivitetet e eksportit që nga viti 2016 dhe Republika Serpska hoqi regjimin e taksave të posaçme për tatimpaguesit e vegjël.

Përtej riorganizimit të skemave të tyre nxitëse, disa vende të Ballkanit kanë rritur kohët e fundit normën e tatimit mbi të ardhurat e korporatave ose kanë bërë rregullime të tjera për të rritur të ardhurat nga taksat e korporatave. Kjo po tregon se ekonomitë e Ballkanit janë duke i dhënë fund taksave të ulëta, një fenomen që ka prekur rajonin për më shumë se 20 vjet.

E para, Shqipëria rriti taksën e korporatave dhe tatimin në burim për dividendin nga 10 në 15% në vitin 2014. Para vitit 2015, në Maqedoni fitimet tatoheshin vetëm kur shpërndaheshin, ndërsa tani, tatimi vilet në bazë të fitimit të realizuar ashtu si edhe në vendet e tjera të rajonit.

Megjithëse regjimet e taksave të korporatave ndryshojnë në të gjithë ekonomitë në rajon, barra efektive e taksave tenton të konvergojë. Ka dallime thelbësore në tiparet kryesore të regjimeve të taksave të korporatave në ekonomitë e SEE.

Për shembull, shkalla e tatimit mbi të ardhurat e korporatave, varion nga një minimum prej 9% në Malin e Zi, deri në një maksimum prej 15% në Shqipëri dhe Serbi. Në mënyrë të ngjashme, tatimi në burim i dividendëve varion nga 0% në Kosovë në 20% në Serbi. Shumica e ekonomive të SEE kanë bërë përpjekje të kufizuara drejt bashkëpunimit rajonal të taksave, me shumë pak takime mbi harmonizimin e politikës tatimore.

Dobësitë që nxori kriza

Kriza ekonomike globale 2008 ekspozoi dy dobësi në rajonin e Europës Juglindore (SEE), profili i investimeve, pra një përqendrim i Investimeve të Huaja Direkte (FDI) në sektorin financiar dhe zhvillimin e kufizuar të sektorit privat në përgjithësi.

Që atëherë, rajoni është përfshirë në një proces bashkëpunimi dhe integrimi që do të ndihmojë arritjen e një sërë objektivash strategjike ekonomike deri në fund të dekadës (Strategjia 2020). Një nga objektivat kryesorë është rritja e IHD-ve, me një mesatare vjetore prej më shumë se 100% dhe për të tërhequr investime në një gamë më të gjerë të sektorësh, kryesisht orientimin drejt eksportit.

Në këtë drejtim, ekonomitë e Rajonit kanë adoptuar një regjim relativisht të hapur për investimet e huaja, me përjashtim të kufizimeve de facto në disa industri të dominuara nga ndërmarrjet e shtetit. Investitorëve në përgjithësi u akordohen standarde të larta të mbrojtjes dhe rajoni mban një rrjet gjithëpërfshirës, edhe pse tradicional, të traktateve të investimeve.

Megjithatë, qasja në treg, infrastruktura dhe aftësitë, si dhe dobësitë e mbetura rregullatorë vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e sektorit privat dhe diversifikimin e IHD-ve. Që rajoni të arrijë objektivat e zhvillimit të vendosura në Strategjinë 2020, duke përfshirë në aspektin e tërheqjes së IHD-ve, këto sfida duhet të tejkalohen, sugjeron Këshilli Rajonal.

Më tej, Këshilli kërkon forcimin e rregullave kombëtare për IHD. Vazhdimi i progresit në masat e lehtësimit të biznesit dhe tregtisë, duke miratuar e-qeverisjen për të rritur transparencën dhe efikasitetin e rregulloreve, mekanizmat privatë të dialogut, rekomandohen të ndiqen.

Kërkohet fokus në konsolidimin e reformave të regjimeve tatimore, matje më e mirë e efektivitetit të incentivave tatimore, forcimi i masave për shmangien e taksave dhe rritja e koordinimit rajonal për të shmangur ringjalljen e një gare fiskale.

Gjithashtu rekomandohet orientimi i politikave në zhvillimin e aftësive në tregun e punës.

Miratimi i nismës së promovimit të investimeve rajonale për të plotësuar përpjekjet kombëtare në drejtim të projekteve rajonale të investimeve të huaja direkte dhe zinxhirët rajonalë të vlerësimit dhe përkthimin e politikave në performancë