BALLKAN, 2 Dhjetor 2023, 14:05

Vrasja e Liridona Murselit, reagon Vjosa Osmani: Krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar

Vrasja e Liridona Murselit, reagon Vjosa Osmani: Krim monstruoz që duhet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për krimin që tronditi mbarë opinionin publik, vrasjen e 33-vjeçares, Liridona Murseli në Kosovë.

Një krim monstruoz e ka cilësuar presidentja Osmani ndërsa thekson se duhet të marrë dënimin e merituar.

Reagimi:

Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë.

Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.