BALLKAN, 1 Prill 2023, 22:44

Tension në Veri të Kosovës, Lista Serbe paralajmëron kryengritje nëse nuk lirohet serbi i arrestuar për djegie veturash

Tension në Veri të Kosovës, Lista Serbe paralajmëron

Pak orë pasi u arrestua M.B nën dyshimet për djegie të veturave në veri dhe për sulm ndaj Policisë së Kosovës, Lista Serbe ka kërcënuar me kryengritje të përgjithshme nëse i arrestuari nuk lirohet.

Përmes një njoftimi në Facebook, kjo parti ka thënë se M.B. “është kidnapuar nga forcat speciale të Albin Kurtit”.

“Pasi që mblodhëm të dhëna rreth rrëmbimit të sotëm të një serbi nga ana e njësiteve speciale të Kurtit, duam të njoftojmë se populli serb e paralajmëron Prishtinën që në rast të moslirimit të të arrestuarit në mënyrë të pabazë, të cilin sot e rrëmbyen njësitet e Kurtit në veri të Kosovës dhe nëse nuk ndalohet me maltretimin e popullit serb, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve. Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi, porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit të Albin Kurtit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Policia e Kosovës dha sonte detaje lidhur me arrestimin e të dyshuarit për djegien e tri veturave në Veri. I dyshuari i arrestuar është M.B, i nacionalitetit serb, 36-vjeçar. Po ashtu, M.B dyshohet se është i përfshirë në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Komunikata e plotë e Policisë:

Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale.

Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore.

Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.