BALLKAN, 31 Mars 2023, 10:25

Kurti: Nuk kam ndryshuar mendim për Ballkanin e Hapur

Kurti: Nuk kam ndryshuar mendim për Ballkanin e Hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk ka ndryshuar mendim për nismën rajonale, Ballkani i Hapur.

Kurti u shpreh se nuk do ta mbështesë një nismë të tillë e cila sipas tij, nuk ka as platformë, as kontratë themelore, as strategji as plan veprimi.

“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as website nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi”, theksoi ai gjatë një interviste për media në Kosovë.

Ndër të tjera, Kurti tha se Ballkani i Hapur nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe nuk ka financim nga unioni.

“Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë”, nënvizoi ai.