BALLKAN, 29 Tetor 2023, 08:56

Presidentja e KE nis vizitën katër ditore në Ballkanin Perëndimor, të hënën do të takohet me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin

Presidentja e KE nis vizitën katër ditore në Ballkanin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë sot (29 tetor) vizitë 4 ditore në Ballkanin Perëndimor. 

Ajo do e nisë vizitën e saj në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me zytarë të lartë.

Ndërsa të hënën do të jetë në Prishtinë, për t’u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, theksohet se ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në ditën pasuese, ajo do ta vizitojë Podgoricën dhe Beogradin, ndërsa të mërkurën do ta mbarojë vizitën në Sarajevë.

Ajo do të takohet me liderët e të gjitha shteteve. Vizita e saj në këto vende të Ballkanit vjen pas një vizite të saj në Shqipëri, më 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Berlinit.