BALLKAN, 27 Tetor 2023, 16:09

Zbardhen konkluzionet e Këshillit Evropian pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiç: Thellësisht të shqetësuar, palët të zbatojnë pa parakushte marrëveshjet

Zbardhen konkluzionet e Këshillit Evropian pas takimeve me Kurtin dhe

Këshilli Evropian reagoi pas takimit të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke nxjerrë edhe konkluzionet e samitit. Mes tjerash, KE ka dalë edhe me një konkluzion për Kosovën dhe Serbinë, duke paralajmëruar për pasoja në rast të dështimit të uljes së tensioneve.

“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. KE dënon ashpër sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Bashkimi Europian pret që autorët të kapen dhe të sillen me shpejtësi para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi, si dhe të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera. Këshilli Evropian nënvizon se “dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, thuhet në konkluzion.

Ndërkaq, Këshilli Evropian shpreh keqardhje për “mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, si dhe marrëveshjet e tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe i mbështetur nga Përfaqësuesi Special”. KE i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë ato, pa vonesë ose parakushte. “Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën europiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.