TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Udhëheqësit e BE-së të enjten (26.10.2023) dështuan sërish për të arritur një sukses në dialogun e mbështetur prej tyre për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç patën bisedime të veçuara me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Bruksel.
I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrell tha, se u parashtrua propozimi për të kapërcyer ngërçin e krijuar lidhur me themelimin e Asosacionit të Komunave me shumcië serbe në veri të Kosovës. “Për fat të keq, palët nuk janë të gatshme të bien dakord pa parakushte, që janë të papranueshme për palën tjetër,” tha Borrell.
“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje,” shtoi ai. Dy udhëheqësit nga Ballkani akuzuan njeri-tjetrin për dështimin e bisedimeve. “Pavarësiht ofertës zemërgjerë të kryeministrit Kurti, presidenti i Serbisë, Vuçiç, refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën,” deklaroi zyra e kryeministrit Kurti.
Vuçiç: Jo prani të Kosovës në OKB
Vuçiç u përgjigj nga ana e tij, se “jam i gatshëm të nënshkruaj çfarë të dëshironi përveç pranisë së Kosovës në OKB dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës”.
Brukseli prej vitesh po përpiqet të zgjidhë konfliktin afatgajtë mes dy vendeve fqinjë të Ballkanit, që i rëndon raportet e tyre që prej luftës më shumë se dy dekada më parë.
BE beson, se e ka zhbllokuar procesin e ngrirë prej shumë viteshduke paraqitur në mars 2023 një plan për normalizimin e marrëdhënieve, por qysh atëherë nuk është bërë asnjë përparim i mëtejshëm. Kosova insiston që Serbia të bëjë hapin e parë për të njohur zyrtarisht pavarësinë e saj. Beogradi kërkon fillimisht realizimin e akordit për krijimin e Asosacionit të 10 komunave me shumicë të popullsisë serbe në veri të Kosovës.
Raportet mes Prishtinës dhe Beogradit u rënduan sërish pas vrasjes së një punonjësi të policisë muajin e kaluar në veri, ku pati incident me armë me grupin e paraushtarakëve të serbëve të Kosovës të grumbulluar në veri./DW