BALLKAN, 27 Tetor 2023, 14:49

Shefja e BE-së viziton Ballkanin Perëndimor

Shefja e BE-së viziton Ballkanin Perëndimor

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë të dielën një vizitë katërditore në Ballkanin Perëndimor.

Atë ditë, shefja e bllokut evropian do të takohet me zyrtarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa të hënën do të jetë në Prishtinë, për t’u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në ditën pasuese, ajo do ta vizitojë Podgoricën dhe Beogradin, ndërsa të mërkurën do ta mbarojë vizitën në Sarajevë.

Ajo do të takohet me liderët e të gjitha shteteve.

Vizita e saj në këto vende të Ballkanit vjen pas një vizite të saj në Shqipëri, më 15-16 tetor.

Atje, von der Leyen ka marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit.

Në atë samit është bërë thirrje që ky rajon të bëhet sa më shpejt anëtar i Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme./REL