BALLKAN, 28 Korrik 2023, 20:26

Mbyllja e “Klan Kosovës”, Haradinaj kritika Kurtit: Nuk jemi Kore e Veriut! Hiq dorë nga ky vendim i çmendur

Mbyllja e “Klan Kosovës”, Haradinaj kritika Kurtit: Nuk jemi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër Albin Kurtin për vendimin e mbylljes së “Klan Kosovës".

“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet!”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se më 14 qershor, Ministria e Industrisë përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova. Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi se ia ka refuzuar ankesën Klan Kosovës për pezullimin e licencës së biznesit. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.