BALLKAN, 2 Gusht 2023, 19:45

Kosova gati për zgjedhjet e reja në Veri, nisin përgatitjet

Kosova gati për zgjedhjet e reja në Veri, nisin përgatitjet

Kosova po bëhet gati për zgjedhje të reja në Veri, teksa ka nisur organizmimi për të siguruar bazën ligjore, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundoj edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shatori si udhëzim administrativ me të cilin mund të referohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizim të peticioneve apo largimin e kryetarëve”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri i pushtetit lokal Elbert Krasniqi tha se me këtë dokument pritet të përcaktohet rregullat se si të organizohet peticioni, i cili sipas tij duhet të shprehë vullnetin e 20 për qind të votuesve të një komune për të pasur sukses.

Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar praninë e njësive të policisë me 25 për qind në ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticioni që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha javën e kaluar se institucionet po përgatiten për mbajtjen e tyre por sipas tij zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit nuk mund të mbahen pa u shtensionuar plotësisht situata.

Edhe përfaqësues të Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kanë thënë se pa shtensionimin e situatës në veri të Kosovës është e pakuptimtë të flitet për zgjedhje të reja. Përfaqësuesit të kësaj liste qëndruan javën e kaluar në Uashington për takime me zyrtarët amerikanë, në kuadër të diskutimeve mbi situatën aktuale në veri të Kosovës dhe mundësitë e uljes së tensioneve.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se është e rëndësishme që situata në veri të Kosovës të shtensionohet më tej ndërsa theksoi se pret që Lista Serbe të marr pjesë në zgjedhjet e reja.

“Ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti politike të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se shtensionimi i situatës dhe kthimi në normalitetit në veri të Kosovës do të mundësonte që palët të përqendrohen në zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit me të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.