TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje.
Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Konjufca kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme.
Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues. Konjufca deklaroi se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda asaj se çfarë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por tha se kjo nuk i pëlqen Serbisë e prandaj nuk do të ketë marrëveshje.
Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviçi. Kreu i Kuvendit deklaroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj dhe “punë e madhe” nëse kjo është e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij, nuk bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë e Republikës.
Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.
Sa i përket mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se kanë trajtuar çështje nga fushëveprimtaria e saj. Sipas tij, i janë përkushtuar 4 rregulloreve të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. Tri prej tyre kanë kaluar ndërsa për një tjetër ritet që të kalohet javën e ardhshme.