BALLKAN, 2 Maj 2023, 22:09

Pas takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Palët kanë dallime shumë të mëdha për Asociacionin

Pas takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Palët
Kurti dhe Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar pas takimit të përbashkët në Bruksel.

Ai ka thënë se në takim është diskutuar për implementimin e ujdisë së arritur në Ohër.

Borrell thotë se është arritur marrëveshja për të pagjeturit e që sipas tij nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Shpresoj se liderët do të respektojnë këtë zotim që kanë marrë sot. Ky është një kapitull shumë i rëndësishëm”.

Ai thotë se palët kanë avancuar mjaft shumë edhe për zbatimin e Asociacionit.

“Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje është dakorduar para dhjetë vitesh. Ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës ka prezantuar draftin e parë që nuk është përfundimtar. Përshëndes faktin që ky draft tashmë u hodh në tryezë”.

“Siç pritej këndvështrimet mes palëve janë shumë të largëta sa i përket natyrës së Asociacionit. Nuk është se kam pritur diçka tjetër. Por edhe nëse nuk pajtohen, ata janë pajtuar që të fillojnë negociimin”.

Borrell thotë se palët duhet të angazhohen me mirëbesim dhe të janë të gatshme për kompromise.