BALLKAN, 9 Gusht 2023, 20:52

BE ofron 400 milionë euro për dëmet nga përmbytjet në Slloveni

BE ofron 400 milionë euro për dëmet nga përmbytjet në

BE do të japë 400 milionë euro ndihmë financiare për Slloveninë, e cila është prekur nga përmbytjet shkatërruese, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Ne do të ndajmë 400 milionë euro nga Fondi i Solidaritetit, 100 milionë këtë vit dhe 300 milionë vitin e ardhshëm”, u tha von der Leyen gazetarëve pasi vizitoi zonat e prekura në Slloveni.

Qeveria sllovene do të jetë gjithashtu në gjendje të tërheqë 2.7 miliardë euro ndihmë financiare nga Fondi i Gjeneratës së ardhshme të BE-së dhe të ridrejtojë 3.3 miliardë euro nga Fondi i Kohezionit.

“Dhjetëra mijëra shtëpi janë përmbytur dhe tani dhjetëra mijëra familje në dëshpërim po pyesin se si do të mbijetojnë në javët dhe muajt e ardhshëm,” tha kryeministri slloven Robert Golob.

Ai foli pak ditë më parë për “fatkeqësinë më të rëndë natyrore” të 30 viteve të fundit në vend, pasi shiu i rrëmbyeshëm shndërroi një pjesë të territorit në një liqen të pafund.