BALLKAN, 16 September 2026, 17:35

Marta Kos pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së: Duhet respektuar drejtësia, përgjegjësia është individuale

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat dënuan katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte. Përmes një reagimi, Kos theksoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, ndërsa nënvizoi se vendimet e tyre duhet të respektohen.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese”, u shpreh ajo, Kos theksoi gjithashtu se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, pavarësisht përkatësisë komunitare. Ndër të tjera, komisionerja u bëri thirrje aktorëve në rajon që të kontribuojnë në procesin e pajtimit dhe në kapërcimin e pasojave të së kaluarës.

Kujtojmë se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë katër ish-krerët e UÇK-së për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja e të dënuarve ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin në instancat përkatëse të Dhomave të Specializuara.

Marta Kos: Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.