BALLKAN, 16 September 2026, 21:37

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë/ Dua Lipa dhe Rita Ora në mbështetje të Çlirimtarëve

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi sot me 81 vite burgim katër ish-krerët e UÇK-së, kanë reaguar edhe dy këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Dua Lipa ka publikuar në Instagram Story logon e UÇK-së, të shoqëruar me hashtagun “Liria Ka Emër”.

Në një tjetër postim, këngëtarja ka publikuar të dhëna lidhur me pasojat e luftës në Kosovë, duke përmendur rreth një milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1 mijë e 24 fëmijë të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar dhe 1 mijë e 600 të zhdukur.

Edhe Rita Ora ka reaguar në Instagram pas vendimit të Hagës. Ajo ka publikuar një fotografi të “Image of Kosovo”, ku shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 “Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë së publikuar nga këngëtarja.

Reagimet e dy artisteve shqiptare vijnë pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.