BALLKAN, 16 September 2026, 20:23

“UÇK-ja nuk ishte në gjyq” – Franca dhe Gjermania reagojnë pas vendimit të Hagës: Aktgjykimi nuk shfajëson krimet e regjimit jugosllav

Franca dhe Gjermania kanë reaguar pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për respektimin e vendimit dhe të procesit gjyqësor.

Parisi ritheksoi mbështetjen për Kosovën, ndërsa në deklaratën e Ministrisë së Jashtme franceze thuhet se “ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara”.

“Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Prishtinë, Reiner Rudolph, theksoi se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte në gjyq dhe as synimi i saj për një Kosovë të pavarur”.

Sipas tij, “aktgjykimi në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut ndaj popullit të Kosovës”.

“Duke i themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Kosova ka dëshmuar se po e përmbush përgjegjësinë e saj, përfshirë trajtimin e krimeve të luftës, si shtet i pavarur dhe sovran. Aktgjykimi në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut që iu shkaktuan popullit të Kosovës në fund të viteve 1990, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.