BALLKAN, 17 September 2026, 17:52

Kurti takim me kreun e PDK pas verdiktit të Hagës: Vendimi duhet të përmbyset në Apel

Tronditja e shkaktuar nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë bashkë pushtetin dhe opozitën në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Në fokus të diskutimeve mes dy liderëve ishte verdikti i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilin ekzekutivi i Kosovës e ka cilësuar si një goditje me pasoja të rënda administrative, gjeopolitike dhe kombëtare.

Gjatë takimit, Kurti dhe Hamza analizuan hapat ligjorë dhe gjeopolitikë që duhet të ndërmerren për të kërkuar korrigjimin e vendimit në shkallët e mëtejshme procedurale. Kryeministri Kurti nënvizoi se ky aktgjykim nuk mund të mbetet në fuqi dhe kërkon reagim institucional. Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Kryeministrit: “Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e Apelit.”

Përveç koordinimit për mbrojtjen e trashëgimisë së luftës, Kurti dhe Hamza u zotuan të mbajnë një linjë të drejtpërdrejtë dhe të rregullt komunikimi për çështjet me interes të lartë publik, shtetëror dhe kombëtar. Reagimi zyrtar nga Prishtina ka risjellë në vëmendje legjitimitetin e luftës çlirimtare përballë aparatin shtypës të Serbisë. Ekzekutivi nënvizoi se rezistenca e armatosur e popullit të Kosovës ishte një e drejtë e pamohueshme përballë dhunës shtetërore sistematike.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.