SPORT, 9 Tetor 2020, 23:08

Austria U21 mposht Kosovën dhe shuan shpresat e Shqipërisë për kualifikim

Austria U21 mposht Kosovën dhe shuan shpresat e Shqipërisë

Kosova U21 është mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga bashkëmoshatarët e Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, duke regjistruar humbjen e pestë në shtatë ndeshje të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2021.

“Dardanët” rezistuan deri në minutën e 87’ kur mesfushori i Ried-it Marco Grull shënoi golin e fitores për Austrinë, që tani ka blinduar pozitat në vendin e dytë të renditjes, që përkthehet në një tjetër shans për të shkuar në Europian.

Humbja e Kosovës është një lajm i keq edhe për Shqipërinë U21, që ishte në garë për vendin e dytë dhe shpresonte në një ndalje të Austrisë në Prishtinë, për të provuar t’i parakalonte ata në dy ndeshjet e fundit të grupit.

Aktualisht Austria është në vendin e dytë me 15 pikë dhe ndiqet nga Shqipëria me 11 pikë, ndërsa të dy skuadrat kanë edhe nga dy ndeshje për të luajtur, por kalendari favorizon austriakët, ndaj duket i pamundur kualifikimi. Ndeshja e radhës e kuqezinjve do të jetë pikërisht ndaj Kosovës më datën 13 tetor.