AKTUALITET, 11 Mars 2019, 13:06

Atentati mafioz/ I vranë kunatin dhe shokun, “Çipuri” nuk bind gjykatën. Çfarë u vendos

Atentati mafioz/ I vranë kunatin dhe shokun, “Çipuri”

Gjykata e Apelit të Vlorës, ka rrëzuar kërkesën për aplikimin e një mase të butë sigurie për të mbijetuarin e vetëm të atentatit te 17 Shkurtit ne qytetin e Vlorës.

Shënjestër e atentatit ishte Armando Sulejmani, por viktimë mbetën kunati, Orest Rexho, 37 vjeç, dhe shoku, Arjan Hasanaj, 45 vjeç, nga Saranda.

42-vjeçari, Armando Sulejmani, do të qëndrojë në burg, pasi mbrojtja nuk arriti të argumentojë ankimimin dhe nuk bindi gjykatën.

Ai akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe dyshohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit për shkak të së kaluarës së tij dhe precedentëve.

“Çipuri” nuk ka pranuar të japë asnjë detaj që ndihmon hetimin. Edhe pse policia shoqëroi rreth 17 persona nuk arriti të bjerë në gjurmë të autorëve.

Në vendngjarje janë gjetur 90 gëzhoja dhe dyshohet se viktimave u është ngritur pritë. Në momentin që kanë mbërritur në zonë makina e viktimave, atentatorët e kane ndjekur nga pas për disa metra dhe kur është hapur zjarr kanë ecur paralel.

Viktimat nuk kane pasur mundësi reagimi. Vendi është zgjedhur nga atentatorët pasi i gjithë aksi nuk ka kamera sigurie. Gjithashtu mësohet se në makinën e vrasësve e cila rezulton e vjedhur janë gjetur 3 armë automatike, por asnjë prove identifikuese.

NGJARJA

Një automjet tip “Mercedes Benz” i ka prerë rrugën makinës ku gjendej Sulejmani dhe më pas kanë hapur zjarr duke qëlluar me breshëri. Hetuesit thonë se shënjestër e atentatit ka qenë 42-vjeçari Sulejmani. Ky i fundit ka marrë disa plumba dhe ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje kritike. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta Policie, të cilat kanë nisur hetimet, trupi i një prej personave është gjendur jashtë automjetit, ndërsa viktima e dytë në brendësi të saj.

Nga Policia është mësuar se ndaj tyre është qëlluar nga një tjetër automjet, i cili mësohet se është larguar në drejtim të fshatrave të Vlorës. Në drejtim të kësaj zone, pak pas ngjarjes, u nisën forca të shumta Policie si dhe u ngritën postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar.

Sipas hetimeve të para, Policia konfirmon se autorët kanë ndjekur deri në fund automjetin e tre personave, duke qëlluar me breshëri dhe mos i lënë shteg për t’u larguar. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Sherishtë. Pikërisht në këtë fshat, Policia gjeti dhe një automjet të djegur vetëm pak minuta pas atentatit. Në brendësi të mjetit janë gjendur tri armë, tip kallashnikov, duke besuar grupin hetimor se është pikërisht mjeti i përdorur nga atentatorët e kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë në Vlorë.

Automjeti i djegur është këqyrur nga grupi hetimor, për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve, ndërsa armët janë marrë nga këta të fundit për të parë nëse do të gjenden gjurmë apo shenja që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë, mësohet se Policia ka vijuar kontrollet në zonën e lumit të Vlorës, zonë nga ku dyshohet se janë larguar autorët e ngjarjes.

HETIMET

Armando Sulejmani (Çipuri), i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje të rëndë, i ka shpëtuar edhe një herë tjetër një atentati të kryer ndaj tij në vitin 2016. 42-vjeçari është një emër i njohur për Policinë e Vlorës. Pikërisht pak kohë pasi kishte dalë nga burg, ndaj tij u qëllua me breshëri automatiku.

Atentati ndaj tij u regjistrua në 23 maj të vitit 2016, pikërisht pranë banesës së tij në lagjen “Pavarësia”. Ndaj tij u qëlluan 11 plumba, por vetëm njëri e plagosi lehtë në krah. 42-vjeçari Sulejmani rezulton person i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës dhe për këtë arsye, dyshohet se atentati vjen për shkak të hakmarrjes.

Ndërsa kunati i tij, i cili mbeti i vdekur, nuk rezulton person i skeduar. Nga ana tjetër, emri i viktimës tjetër, Arjan Hasani, del në disa përgjime të Prokurorisë për trafikimin e lëndëve narkotike, por ai nuk u arrestua asnjëherë./ Panorama