AKTUALITET, 27 Shtator 2018, 08:45

Artan Hoxha vijon "hetimet" për vajzën e përdhunuar, nxjerr edhe Dritan Zaganin në skenë

Gazetari Artan Hoxha, i cili në 24 orët e fundit, po punon me intensitet të lartë, për të zbardhur me metodat e veta ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Fushë Krujë, ku dyshohet se një vajzë e re është përdhunuar nga djali i deputetit Rrahman Rrahja, vijon të paraqesë argumenta të çuditshme në mbrojtje të djalit të deputetit. Hoxha dje në emisionin "Opinion", tha se mes të rinjve ka patur një konflikt, pra ai përdhunimin dhe torturën që mund të ketë pësuar Xhisiela Maloku (siç thuhet në ekspertizës mjeko-ligjore), e quan një konflikt banal mes palëve.

Më pas, gazetari me anë të një statusi në rrjetet sociale, shprehet se historia është e sajuar dhe për këtë ka publikuar një foto ku pretendon se shfaqet Dritan Zagani me nënkomisarin Emiljani Nuhu, në Zvicës. Pra, duke aluduar se Zagani po e ndihmon Nuhun të marrë azil.

Problemi me versionin e Artan Hoxhës, i cili po vijon "hetimet" e tij me intensitet më të larë se vetë prokuroria, është se ai po nxjerr përpara publikut disa fakte, që nuk kanë asnjë rëndësi për ngjarjen. Mund të jetë e vërtetë që Dritan Zagani, ka ndihmuar Emiljano Nuhun të plotësojë dokumentat e azilit, por kjo nuk e zhbën përdhunimit, torturimin dhe kërcënimin e Xhisiela Malokut. Kjo nuk hedh poshtë as versionin e nënkomisarit se ai është kërcënuar nga deputeti Rrahja, vëllai i tij dhe se në zyrën e nënkomisarit, janë paraqitur Taulant Balla dhe Artur Bushi. Këto janë pretendimet të cilat duhet të hetohen nga prokuroria.

Ky "fakt" i  orëve të fundit, i publikuar me shpejtësi nga Artan Hoxha, apo edhe interevista e vajzës që mohonte ngjarjen,  i shërben si alibi vetëm pushtetit, i cili po bërtet se kemi të bëjmë me një histori të sajuar dhe se Emiljano Nuhu e ka bërë për të përfituar azil.

/TPZ.AL/